Në Britani kërkojnë krijimin e një Tribunali Special për ta gjykuar Putinin

Në Britani kërkojnë krijimin e një Tribunali Special për ta gjykuar Putinin

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Brown, dëshiron që të krijohet një gjykatë e re ndërkombëtare për të hetuar Vladimir Putin për veprimet e tij në Ukrainë.

Brown thotë se lufta ka parë bombardime pa dallim të civilëve, gjë që është kundër ligjit ndërkombëtar, si dhe shkelje të armëpushimeve humanitare dhe “shantazh bërthamor”, shkruan BBC.

Ish-kryeministri i ka thënë BBC-së se që nga rënia e Murit të Berlinit “ne kemi supozuar se demokracia dhe sundimi i ligjit do të mbizotërojnë”, por se Putini “po e zëvendësonte atë me përdorimin e forcës”.

“Nëse mesazhi nuk dërgohet tani, atëherë ne përballemi me agresion në vende të tjera, të cilat gjithashtu mund të mbeten të pandëshkuara”, tha ai.

I pyetur nëse e konsideron presidentin rus si kriminel lufte, ai u përgjigj: “Kjo është ajo që tha Presidenti Biden dhe kjo është pikëpamja ime”.

Brown është mes 140 akademikëve, avokatëve dhe politikanëve që nënshkruan një peticion që bën thirrje për një sistem ligjor të modeluar sipas gjyqeve të Nurembergut të kriminelëve nazistë të luftës pas Luftës së Dytë Botërore.