Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur për takimin që e ka pasur sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se në takim ata janë informuar për gjendjen aktuale në veri si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme.
Ai ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë dhe garantimin e sigurisë së Policëve të shtetit.
“Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë i tij në Facebook:
Së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, sot kam takuar kryeministrin Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.
Nga kryeministri Kurti u informuam për gjendjen aktuale në veri, si dhe rrjedhën e veprimeve të deritanishme, në zbatimin e vendimit për reciprocitet me targa.
Kërkova nga Kryeministri që të marrë masa për zbatimin e ligjshmërisë, garantimin e sigurisë së Policëve dhe zyrtarëve tjerë të Republikës së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të komunave veriore pa dallim.
Njëkohësisht, përballë kësaj situate dhe për menaxhimin efikas të saj, kërkova që të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in.
Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, është obligim kushtetues. Në ushtrimin e sovranitetit tonë kushtetues, organet e rendit dhe ligjit duhet ta kenë përkrahjen e të gjithëve.