​Valheryi paralajmëron 30 miliardë euro investime në rajon

​Valheryi paralajmëron 30 miliardë euro investime në rajon

Komisioneri evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Valheryi, ka kërkuar bashkëpunim më të madh të vendeve të Ballkanit Perëndimor në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.

Në një konferencë për media, të cilën e mbajti me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas Samitit të Tiranës, Valheryi, tha se në Ballkan do të vijnë rreth 30 miliardë euro në formë investimesh.

“Pothuajse 30 miliardë euro në formë investimesh do të vinë në rajon, por kjo nuk funksionon nëse ne nuk kemi treg të përbashkët rajonal. Nuk ka kuptim për të punuar më shumë për autostrada e rrugë të reja tregtie, nëse duhet të vazhdojnë të jenë 6 certifikata të ndryshme, të secilit vend. Këto vende duhet të punojnë në këtë treg të përbashkët rajonal. Lajmi që solla është që ne kemi arritur një marrëveshje në BE për financimin e këtij plani. Kemi arritur këtë marrëveshje me Këshillin dhe Parlamentin Evropian, për IPA 3, siç e quajmë ne, i cili do të jetë mekanizëm me të cilin do të financohet ky plan. Do ta fillojmë këtë plan sa më shpejt që të jetë e mundur. Sic e shihni po hyjmë në një muaj kritik për Ballkanin Perëndimor, me shumë çështje mbi tryezë të BE-së. Ky do të jetë vit i Ballkanit Perëndimor, por të gjithë duhet të kenë plane konkrete”, ka thënë Valheryi.

Tutje, ai deklaroi se agjenda e përbashkët e Ballkanit krijohet nga përfaqësuesit e këtyre vendeve, jo nga Komisioni Evropian.

“Ne po e shohim një përkushtim të qartë të këtyre udhëheqësve. E kemi idenë për treg të përbashkët rajonal dhe sot kemi parë se çfarë përparimesh kemi parë. Nuk kemi arritur ende ku kemi dashur, por deri në korrik duhet të arrijmë atje. Shohim tashmë edhe rezultatet e para që po ndryshojnë jetën e qytetarëve në këtë zonë. Jemi të gatshëm të riafirojmë qëndrimin tonë me planin ekonomik dhe të investimeve, plan që kemi qysh nga vjeshta”, ka thënë tutje ai.