Mustafa: Qeveria dhe presidenca e Kosova e ka mandatin e plotë të merren me statusin e Luginës së Preshevës

Mustafa: Qeveria dhe presidenca e Kosova e ka mandatin e plotë të merren me statusin e Luginës së Preshevës

Zëvendëskryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaroi se Lugina e Preshevës duhet të jetë temë e diskutimit në dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse sipas tij, dialogu aktualisht ka intensitet të dobët.

Ai tha në Interaktiv të KTV-së se Qeveria Kurti nuk po i jep rëndësi dialogut.

“Ne i kemi dhënë dy deklarata politike më parë, i kemi dhënë mandatin Qeverisë së Kosovës dhe presidentit që të merren me statusin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc në Bruksel. Ka edhe rezoluta që Kuvendi i Kosovës i ka miratuar që kushdo që merret me dialogun, Lugina e Preshevës të jetë temë”, tha Mustafa.

Zv.kryetari i Preshevës tha se shqiptarët në këtë regjion janë larguar dhunshëm nga forcat serbe, derisa kujtoi luftën në Kosovë më 1999, kur Serbia i kishte detyruar preshevarët të luftonin kundër UÇK-së.

“U detyruan nga forcat serbe që të luftonin kundër UÇK-së në vitin 1999. Më e zeza ishin fletëthirrjet për t’iu bashkuar trupave serbe kundër Kosovës. U përdorën metodat më të tmerrshme për t’i dëbuar shqiptarët”, shtoi ai.

Sipas Mustafës, zgjidhja më e mirë do të ishte sikur Lugina e Preshevës t’i bashkohej Kosovës. Ai theksoi faktin se është rritur ndjeshëm numri i banorëve në Medvegjë.

“Menjëherë pasluftës, në Medvegjë ishin 4.700 shqiptarë, ndërsa tani kanë mbetur 350-400 shqiptarë. Kjo e njëjta po ndodhë në masë edhe në Preshevë edhe në Bujanovc”.

Mustafa potencoi tutje se çdo situatë e pakëndshme që ndodhë, reflekton dukshëm edhe në Luginë të Preshevës.

“Por ne mbase jemi trajnuar, jemi bërë imunë nga presionet e Beogradit. Shqiptarët e Luginës nuk e dinë një frikë që përcillet nga Beogradi qendror”.