Tensionet Rusi – Ukrainë, vjen reagimi i kancelarit gjerman

Tensionet Rusi – Ukrainë, vjen reagimi i kancelarit gjerman

Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se aktiviteti ushtarak i Rusisë në kufirin lindor të Ukrainës përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë evropiane.

“Ndodhemi në një situatë shumë serioze”, tha Scholz për gazetën ”Süddeutsche Zeitung” lidhur me tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës

“Stacionimi i 100 000 ushtarëve dhe një numri të madh të pajisjeve ushtarake në kufirin ukrainas nga Rusia nuk mund të injorohet. Nuk ka asnjë shpjegim logjik për këtë. Ky është kërcënim për paqen dhe sigurinë e Evropës”, shtoi kancelari i Gjermanisë.

Ai tha se mosvënia në dyshim e kufijve është pjesë e “politikës së butë” dhe marrëveshjeve të arritura pas vitit 1990.

“Kjo nënkupton se ju nuk mund t’i ndryshoni kufijtë vetëm pse në disa libra të vjetër ato janë të vizatuar ndryshe. Ajo që duhet zbatuar janë rregullat dhe ligjet dhe jo forca ushtarake”, ka deklaruar Scholz.

Scholz po ashtu theksoi se aneksimi i Krimesë ishte një shkelje serioze e Aktit Final të Helsinkit nga Rusia.

“Situata në Ukrainën lindore mbetet e rrezikshme dhe gjithashtu shkelen këto parime. Për Willy Brandt-in dhe Helmut Schmidt-in (ish-kancelarë gjermanë), integriteti territorial dhe e drejta e shteteve për vetëvendosje janë të pandashme”, tha ai.

Olaf Scholz tha se anëtarësimi i vendeve të tjera nga Evropa Lindore në NATO nuk është në agjendë.

Duke iu referuar një deklarate të tij të mëparshme mbi atë se çfarë do të ndodhte nëse Rusia sulmon Ukrainën, kancelari gjerman përsëriti se nëse do të ketë sulm ushtarak kundër Ukrainës, kjo do t’i kushtonte rëndë Rusisë