• E mërkurë / Apr-24 16:16
  • Kontakt

Kush është amerikani Christopher Hill, i nominuar për ambasador në Serbi

Kush është amerikani Christopher Hill, i nominuar për ambasador në Serbi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës me emërimet e reja të ambasadorëve në shtetet e Ballkanit do të kenë një vëmendje të madhe në kohën kur rajoni po kalon në tensione të ndryshme politike.

Nominimi i Christopher Hill diplomat me përvojë ndërkombëtare edhe ballkanike si ambasador i ShBA-ve në Serbi është një fakt se diplomacia amerikane po rikthehet në rajon.

Hill ka mbajtur poste të rëndësishme në diplomacinë amerikane.

Ish-diplomati i pensionuar konsiderohet si një negociator i vështirë dhe këtë status e konfirmoi edhe gjatë periudhës kur ishte i dërguar special për Kosovën në negociatat e vitit 1999 në Rambuje të Francës, i cili luajti një nga rolet kryesore në negociatat që i paraprinë konferencës në Rambuje në vitin 1999, ku ishte pjesë e grupit të njohur si i kontaktit.

Ai do ta zëvendësojë Anthony Godfrey, i cili ka qenë ambasador në Beograd që nga muaji nëntor i vitit 2019.

Diplomati amerikan shërbeu si ambasador në Irak, Kore, Poloni, Maqedoni e Shqipëri si dhe si ndihmës sekretar shteti për Azinë Lindore dhe Paqësorin dhe si kreu i delegacionit amerikan në bisedimet gjashtë-anëtarëshe për Korenë e Veriut.

Hill ka fituar çmime të shumta përfshirë Çmimin “Robert Fraser” për Negociatat e Paqes dhe Çmimin e Sekretarit të Shtetit për Shërbim të Shquar.

Theksojmë se ai i flet rrjedhshëm gjuhët sllave, polake, dhe frënge.

Gjatë vitit 2021, ai ishte një asistent profesor në Universitetin Columbia në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike.

Duhet kujtuar se zëvendës ambasadori amerikan në Beograd, Gabriel Escobar, së fundmi është emëruar zëvendës ndihmës sekretar në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit.

Matthew Palmer, i cili e mbajti këtë pozicion para Escobar, është emëruar i dërguar i SHBA për reformat zgjedhore në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa në Kosovë do ta kemi së shpejti ambasadorin e ri amerikan.

Këto ndryshime të diplomatëve në Ballkan interpretohen si një përpjekje e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden për të forcuar praninë amerikane në rajon.