Policia e Kosovës arreston gjashtë persona, konfiskohen mbi 82 kilogramë drogë, armë e automjete

Policia e Kosovës arreston gjashtë persona, konfiskohen mbi 82 kilogramë drogë, armë e automjete

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Shtetit, ka realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe të Gjilanit, i cili ka rezultuar me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar.

Arrestimi i personave të dyshuar është bërë mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale “Blerja ,posedimi shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajtja nën kontroll dhe shfrytëzim i paautorizuar i armëve”, “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore dhe pa banderolë” si dhe “Shmangia nga pagesat e detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

“Me urdhër të prokurorit kompetent është bërë edhe kontrollimi i katër lokacioneve, prej tyre dy banesa të banimit, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Fushë Kosovë, si dhe dy shtëpi në Gjilan së bashku me një objekt përcjellës, të cilat dyshohet se grupi në fjalë i kanë përdorur për fshehje, shitje dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe për kontrabandë të barnave me origjinë të dyshimtë”, thuhet në njoftimin për media.

Gjatë realizimit të kontrollit në cilësi të provave materiale në lokacione të ndryshme janë gjetur të fshehura në vende dhe mjete të ndryshme, provat e sekuestruara:

 82 kilogramë e 914 gramë (tetëdhjetë e dy kilogramë e nëntëqind e katërmbëdhjetë gramë marihuanë).
 100 paketime të barnave të kontrabanduara, me peshë prej 100 kilogramëve e 180 gramëve
 1 pushkë gjuetie me 35 predha (fishekë) si dhe dy qese najloni të mbushura me barot dhe sfera për municion të armës së gjuetisë.
 1 armë e gjatë ‘AK- 47’ me një karikator.
 1 revole ‘TT’ me një karikator dhe 6 predha (fishekë).
 1 dylbi e armës së gjatë, 174 predha (fishekë).
 5 vetura të ndryshme.
 15.774,50 € (Pesëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e katër euro e pesëdhjetë cent), si dhe 20 (njëzet) franga zvicerane.
 Barna të llojeve të ndryshme.

Personat e dyshuar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje për 48 orë.