''Nënë Merali'': Gruaja që përpiqet të rrëzojë Erdoganin nga pushteti

Sipas traditës turke, sherret midis burrave e grave përfundojnë kur gruaja përplas shaminë në tokë.

Për këtë arsye, kandidatja për presidente, Meral Akshener, po shkon nga qyteti në qytet për të mbledhur shami, të quajtura “jemeni”, nga mbështetësit e saj.

Siç shkruajnë mediat e huaja, 61 vjeçarja po udhëheq atë që ajo e quan “Revolucioni i Jemenive”, një përpjekje për t’i dhënë fund agresionit në politikën turke.

Nëse bëhet e vetmja që arrin të ndalë sundimin e gjatë të Erdoganit, ajo do t’i ekspozojë shamitë në Cankaya, isha pallati presidencial në Ankara.

Disa e quajnë “Gruaja e Hekurt”, por ajo pëlqen më shumë “Nënë Meral”.

“U bë shumë kohë që Turqia sundohet nga një mashkull shumë i ashpër”, tha ajo për CNN në qytetin jugor të Adanës, gjatë një fushate zgjedhore.

Disa e quajnë “Zonjën e Hekurt” të Turqisë, por të tjerë e quajnë “Asena”, një personazh mitologjik, një ujkonjë që mbante fiset turke larg rreziqeve. Por ka dhe emra të tjerë që ajo i preferon.

“Disa më quajnë motër, por shumë të rinj më quajnë Nënë Meral. Mua më pëlqen të jem nënë”, tha Akshener.

Akshener është e vetmja kandidate femër në zgjedhjet e 24 qershorit, por nuk i tërheq mbështetësit vetëm për faktin e të qenit grua.

Kredencialet e saj konservatore dhe nacionaliste e bëjnë që të tërheqë më shumë nga mbështetësit e Erdoganit, edhe pse është e treta në sondazhe.

Kandidati kryesor i opozitës, Muharrem Ince, është në vend të dytë dhe ka nxitur bazën e qendrës së majtë. Por ai ka pak gjasa që ta ndajë votën konservatore ashtu si Aksheneri.

Aksheneri dhe revolucioni që ka përfytyruar ka tërhequr turma në të gjithë Turqinë.

Gratë në Adana ofronin shamitë e tyre.

Esra Demirkol, një mbështetëse e zjarrtë, e cila priti me orë të tëra për të bërë një foto, u ngjit me vrull në skenë për të përqafuar kandidaten.

“Për të ardhmen e fëmijëve tanë, për vendin tonë e për shumë arsye të tjera, unë do të votoj Meral Akshenerin. Prekja e një gruaje e bën çdo gjë më mirë. Dua një nënë që të na udhëheqë vendin”, tha ajo teksa i merrej fryma, pasi ishte ngjitur në skenë.

Partia e Akshenerit, e quajtur “Iyi”,(Partia e Mirë), është e re në skenën politike, por Aksheneri vetë rreshtohet mes politikanëve veteranë.

Ajo ka shërbyer si ministre e brendshme për tetë muaj, gjatë luftës kundër separatistëve kudër, teksa shkeljet e të drejtave të njeriut po bëheshin gjerësisht në Turqi.