“Fillon” lufta në Lindjen e Mesme. Izraeli bombardon infrastrukturën iraniane në Siri

Izraeli njoftoi këtë të enjte se ka sulmuar thuajse të gjithë infrastrukturën ushtarake iraniane në Siri, pasi forcat iraniane lëshuan disa raketa...

Izraeli njoftoi këtë të enjte se ka sulmuar thuajse të gjithë infrastrukturën ushtarake iraniane në Siri, pasi forcat iraniane lëshuan disa raketa në territorin e kontrolluar prej vendit hebre të Lartësive Golan, për herë të parë.

Kjo ishte “breshëria” më e rëndë izraelite në Siri që prej fillimit të luftës civile në vitin 2011, në të cilën iranianët, milicitë aleate shiite dhe ushtarët rusë kanë ofruar mbështetjen e tyre për presidentin Bashar al-Assad.

Ende nuk ka raporte për viktima në Siri. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman tha se raketat iraniane, ose nuk arritën në destinacionet e tyre, që ishin bazat ushtarake izraelite në Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli, ose janë rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes antiajrore.

Pritshmëritë për një rritje të tensioneve në rajon, mes paralajmërimeve izraelite për vendosmëri në parandalimin e zgjatimeve ushtarake iraniane në Siri, u përflakën nga shpallja e presidentit amerikan Donald Trump, gjatë së martës, se ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Administrata “Trump” e përkufizoi pozicionin e saj kundër paktit, si kundërpërgjigje e nxitur pjesërisht nga ndërhyrjet ushtarake të Teheranit në rajon, duke përforcuar linjën e ashpër të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ndaj Iranit.

Sulmi në Lartësitë Golan, territor sirian i kontrolluar prej Izraelit, ishte “thjesht një tjetër demonstrim se regjimi iranian nuk mund të besohet, e një paralajmërim se presidenti mori vendimin e duhur për të dalë nga marrëveshja me Iranin”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.