Presidenti i Qipros në Serbi: Për sa kohë që ‘1244’ është në fuqi, pavarësia e Kosovës është e paligjshme

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, është takuar sot në Beograd me presidentin qipriot Nikos Anastasiadis.

Vuçiq gjatë takimit me homologun e tij theksoi se me Serbinë askush nuk mund të flasë gjuhën e ultimatumit dhe kërcënimeve.

Në anën tjetër Anastasiadis deklaroi se deri në zgjidhjen efektive të 1244, për Republikën e Qipros pavarësia e Kosovës është e shpallur në mënyrë të njëanshme dhe të paligjshme. Presidenti qipriot ka thënë se Serbia e ka vendin në BE dhe vendi i tij do ta mbështes dhe do t’i ofrojë ndihmë gjatë këtij procesi.

“Miku im z.President, ju keni mbështetjen dhe përkrahjen tonë të fortë për integritetin territorial të Serbisë. Republika e Qipros nuk e njeh shpalljen e pavarësisë njëanshëm nga Kosova për aq kohë sa ajo është në Rezolutën në fuqi (1244)”, tha presidenti qipriot, duke shtuar se deri në atë kohë sa është kjo rezolutë në fuqi “pavarësia  e Kosovës është e njëanshme dhe e paligjshme”.

Në bazë të kësaj deklarate, presidenti serb e ka falënderuar atë për mbështetjen që po i ofron Qiproja karshi Kosovës duke mos e njohur si shtet.

Tutje, Vuçiq është deklaruar se Serbia është e interesuar për gjetjen e një kompromisi për problemin e Kosovës, por nuk do të lejojë që të shikohen vetëm interesat e shqiptarëve, shkruan b92.

“Askush nuk do të mund të flas me Serbinë në gjuhën e shantazhit, kërcënimeve dhe ultimatumit, asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare publike nuk parashikon që ne duhet të pranojmë atë që është në interes ekskluziv për shqiptarët”, ka thënë ai.