Shpend Ahmeti shpreson të mos ketë inate personale me Vetëvendosjen

Kryetari i Prishtinës, njëherit edhe kryetar i zgjedhur i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka mbajtur konferencën e parë për media ...

Kryetari i Prishtinës, njëherit edhe kryetar i zgjedhur i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka mbajtur konferencën e parë për media që nga ardhja e tij në këtë pozitë.

Ahmeti u shpreh se megjithë faktin që ai tashmë është kryetar i një partie tjetër, në kuadër të Komunës së Prishtinës do të vazhdojë bashkëpunimin edhe me subjektin që dikur ai i përkiste, Vetëvendosjen, raporton  lajmi.net.

“Jemi ne diskutime, këto ditë kemi pasë disa takime, nuk ka arsye për të mos pasë bashkëpunim, kemi pas program të njëjtë, dhe shpresoj në vazhdimin e bashkëpunimit me Vetëvendosjen. Duke marrë parasysh që deri dje kemi udhëtu bashkë, do të ishte mirë që të mos bëhet qëllimi kryesor lufta ndaj njëra tjetrës. Besoj dhe shpresoj që nuk do të ketë inate personale ”, u shpreh Ahmeti.

Ai foli edhe për bllokadën e mundshme të ish-partisë së tij në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku u shpreh optimist se komuna do të vazhdojë normalisht punën e saj.

“Edhe kur kemi qenë në Vetëvendosje, asambleistëve i kam thënë që këtë mos ta shohin si maqinë votuese, sepse e kanë të drejtën edhe me kundërshtu. Besoj që edhe në të ardhmen propozimet e mira të kalojnë, sepse deri më tash nuk kemi pas probleme. Bllokadat kanë qenë të organizume prej dy partive me qëllim shkuarjen drejt zgjedhjeve”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti deklaroi se përkundër faktit që tashmë ai udhëheq një parti të re, prioritet i tij do të jetë Komuna e Prishtinës.

“Komuna është prioritet para partisë, ngase ka shumë punë në komunë. Besoj që do të luajmë rol të rëndësishëm këtë vit, dhe besoj që PSD-ja do të jetë një forcë e rëndësishme politike në vend”, deklaroi ai.

Ahmeti u shpreh i kënaqur edhe me punën e drejtorëve të komunës të cilët vijnë nga rradhët e Vetëvendosjes, ku shtoi se nuk sheh ndonjë arsye për ndalimin e bashkëpunimit.

“Nuk e di për riformatim, jam i kënaqur edhe me punën e drejtorëve të Vetëvendosjes,  shoh që nuk ka arsye që kjo të ndërpritet. Do të shohim në diskutime të cilat janë, mirëpo gjithsesi jam i hapur dhe i gatshëm për bashkëpunim”, përfundoi Ahmeti në këtë konferencë.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme, Ahmeti u zgjodh kryetar i Partisë Socialdemokrate.