Serbia shprehet e gatshme për vazhdimin e bisedimeve

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke folur për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit...

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke folur për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, e ka komentuar edhe vizitën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Berlin dhe takimin e tij me Kancelaren, Angela Merkel.

“Është logjike që bisedime të mbahen në anë të ndryshme. Ne këto bisedime po i mbajmë në Bruksel nën monitorimin e Bashkimit Evropian, mirëpo shtete të ndryshme konsultohen në këtë aspekt. Ne gjithashtu jemi në vazhdimësi në kontakt me shtetet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Gjuriq.

Gjuriq komentoi edhe takimin e djeshëm të presidentit Thaçi me Kancelaren Merkel.

“Unë do të kujtoja se, përveç pritjes së jashtëzakonshme dje në Moskë, Vuçiq kishte dy takime me Merkelin gjatë dy muajve. Për ne, kjo është një mundësi e mirë për të shprehur pikëpamjet tona”, u shpreh Gjuriq.

Gjuriq foli edhe për vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, ku shtoi se shteti serb, sipas tij është i gatshëm të bëjë përpjekje për vazhdimin e bisedimeve, transmeton lajmi.net.

Ai komentoi edhe ndalimin e karateistëve kosovarë nga Serbia për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian, ku tha se marrëveshjet e Brukselit janë të obligueshme edhe për Prishtinën dhe jo vetëm për Beogradin.

“Nuk e di se çfarë kanë menduar politikanët në Prishtinë. Se marrëveshjet e Brukselit na referohen vetëm ne? Natyrisht që këto marrëveshje janë të dyanshme dhe reciproke”, përfundoi Gjuriq.