Pamje të rënda nga shpërthimi në Vlorë, 25 vjeçari i mbuluar në gjak kërkon ndihmë

Pamje të rënda janë publikuar nga atentati me tritol që iu bë një 25 vjeçari në Vlorë. Ines Hajrulla..

Pamje të rënda janë publikuar nga atentati me tritol që iu bë një 25 vjeçari në Vlorë. Ines Hajrulla, djali i një pronari lokalesh në këtë qytet ka mbetur i gjymtuar nga shpërthimi i eksplozivit. Në pamjet e filmuara në minutat e para të ngjarjes, shihet i riu teksa kërkon ndihmë, i shtrirë në tokë dhe i mbuluar me gjak sidomos në pjesën e këmbëve.

Burimet nga policia thanë se në fuoristradën “Jeep” me të cilën udhëtonte Hajrulla janë vendosur 300 gr tritol C4. Makina shpërtheu pranë degës së Sigurimeve Shoqërore. Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, por siç shihet dhe nga pamjet shpërthimi ka qenë i fuqishëm aq sa pjesët e makinës kanë fluturuar në largësi.

Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm, ndërsa më pas automjeti është përfshirë nga flakët. Eskpertët mendojnë paraprakisht se lënda shpërthyese i është vendosur automjetit në pjesën e përparme te tij.

Pas shpërthimit, automjeti tip fuoristradë është përplasur me një automjet të parkuar aty pranë. Nuk ka asnjë të dhënë për autorët e dyshuar, por i plagosuri ka qenë person me precedentë penalë, thanë burimet policore. Ai është akuzuar për vjedhje dhe tentativë plagosje. Aktualisht gjendja shendetësore e tij paraqitet e rëndë. Burimet nga spitali i Vlorës thanë se 25 vjeçari Ines Hajrulla ka humbur të dyja këmbët.