Haradinaj takon ministren Xhaçka, flasin për sigurinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Në këtë takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet të dyja shteteve, me fokus të veçantë mbrojtjen dhe sigurinë.

Haradinaj me këtë rast vlerësoi lart kontributin e Shqipërisë në sigurinë rajonale dhe globale si anëtare e NATO-s, që ka ndikim edhe për sigurinë e Kosovës.

Gjatë takimit, kryeministri theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, dhe mundësinë e thellimit të mëtejmë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Në ndërkohë ministrja Xhaçka vlerësoi lart dinamikën e re qeverisëse të kryeministrit Haradinaj, duke thënë se Shqipëria do të jetë mbështetëse e fuqishme për Kosovën, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj, duke e mbështetur shtetin e ri në proceset e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe NATO-n.

U bisedua edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e cila do të mbahet në Korçë të Shqipërisë, për arritjen e marrëveshjeve konkrete dhe zbatimin e tyre, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve bilaterale.