Thaçi për Gjykatën Speciale

Presidenti i Kosovës Thaçi për Gjykatën Speciale: Ishte zgjedhja e duhur për rrethanat e atëhershme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka folur për Gjykatën Speciale dhe lidhur me këtë tha nuk lëviz nga pozicioni i tij, pasi sipas tij, zgjidhja për themelimin e Gjykatës ishte më e mira në kuadër të atyre rrethanave.

Ai tha se vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ishte vendim  i vështirë, por zgjidhja më e mirë në kuadër të rrethanave të atëhershme.

“Nuk ka asnjë lëkundje në pozicionin tim…Unë dhe gjithë lidershipi i Kosovës e kemi bërë zgjidhjen më të mirë në kuadër të rrethanave dhe kontekstit ndërkombëtarë të atëhershëm, të imponuar…”, u shpreh Thaçi.

Ai tha se kanë qenë dy mundësi, të vështira dhe të këqija.

Sipas tij, opsioni i parë ka qenë ose të shkohet me krijimin e Gjykatës Speciale në bazë të ligjeve të Kosovës, ose të refuzohet dhe çështja t’i kalojë OKB-së.

“Kemi shkuar me opsionin e parë”, tha presidenti, duke shtuar se megjithëse mund të ketë mendime të ndryshme për këtë çështje, vendimi ka qenë i përgjegjshëm dhe me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të bashkëpunimit me SHBA-të, NATO-n dhe BE.

“Ndërmjet dy opsioneve të këqija, kemi zgjedhur opsionin me më pak pasoja. Unë mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur”, tha Thaçi.