Iniesta i hapur për rikthim: Barcelona është shtëpia ime

Andres Iniesta ka lënë të hapur derën për rikthim te Barcelona.

Mesfushori i Vissel Kobe, ka shprehur dëshirën e tij që një ditë të kthehet në Kataluni, në atë që e quan si shtëpia e tij.

Ish-anëtari i Barcelonës kishte kaluar një kohë të shkëlqyer në ‘Camp Nou’, ku kaloi gati dy dekada, duke fituar të gjitha trofetë.

I pyetur nëse një ditë do të kthehet te Barcelona, heroi i finales së Kupës së Botës 2010 ka lënë të hapur secilin opsion.

“Do të më pëlqente të kthehesha te Barcelona. Do të doja të ndihmoja institucionin. Ka shumë variabla të përfshira dhe është e vështirë të dihet se çfarë ndodh në të ardhmen”, ka thënë Iniesta për Gerard Romero, transmeton lajmi.net.

“Barca është shtëpia ime dhe unë nuk do të isha askund më mirë sesa atje”, shtoi lojtari.

Iniesta, nëse jo si lojtar, duket se do të kthehet për të dhënë kontributin e tij te Barcelona, nga një post tjetër.