Mbahet takimi i Palëve të Interesuara të Departamentit të Bujanocit i Fakultetit Ekonomik të Suboticës

Mbahet takimi i Palëve të Interesuara të Departamentit të Bujanocit i Fakultetit Ekonomik të Suboticës

Fillimi i vitit të ri akademik 2021/2022 në Fakultetin Ekonomik të Suboticës - Departamenti në Bujanoc, mblodhi akterët më të rëndësishëm për funksionimin e këtij fakulteti. Përveç nikoqirit të këtij takimi, kryetarit të komunës së Bujanocit z. Nagip Arifi, në këtë takim morën pjesë Komisioneri i Lartë për Pakica Nacionale Sh.T. Ambasadori Kairat Abdrakhmanov, Shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi Sh.T. Ambasador Jan Braathu, Ministri i Arsimit në Republikën e Serbisë z. Branko Ruzhiq, Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së z. Martin Klauke, Drejtoresha e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medegjë znj. Daniela Nenadiq, kryetari i KNSH-së z. Ragmi Mustafa, përfaqëseues të Fakultetit të Suboticës të udhëhequr nga z. Aleksandar Çuçkoviq. 

Qëllimi i këtij takimi ishte identifikimi i sfidave dhe arritjeve gjatë këtyre 10 viteve që nga hapja e departamentit të Bujanocit i Fakultetit Ekonomik të Suboticës, si dhe mundësitë e përmirësimit të zhvillimit të studimit për periudhën vijuese. 

Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Bujanocit kërkoi që fokusi kryesor të vihet te ngritja e cilësisë së edukimit në këtë fakultet, të mbahen kontakte më të shpeshta me dy shkollat e mesme në Bujanoc duke mos përjashtuar edhe shkollat nga komunat Preshevë dhe Vranjë për t'i ofruar maturantëve programin që ofron Departamenti në Bujanoc. Ai ngriti shqetësimin e tij për mos respektimin e kontratës së nënshktuar para 10 vjetëve, ku ndër të tjera ceket punësimi i kuadrove shqiptare në këtë fakultet pasi të përfundojnë studimet në këtë departament, si dhe njoftimi i organeve komunale për çdo program të ri që planifikon të futet në kurikulat e fakultetit. Kryetari Arifi iu kujtoi edhe pikën e kontratës ku parashihej punësimi i 8 shqiptarëve në institucionin në fjalë, e që deri më sot nuk është realizuar. 

Përndryshe, për këto 10 vjet, në Fakultetin Ekonomik të Suboticës, departamenti në Bujanoc, në studimet bazike janë regjistruar 932 studentë (476 serbë, 453 shqiptarë, 3 romë), kurse po këto studime me sukses i kanë përfunduar 275 studentë (99 shqiptarë, 176 serbë). Derisa në studimet master janë regjistruar 100 studentë (86 serbë, 13 shqiptarë, 1 rom), kurse kanë arritur që të magjistrojnë 63, prej të cilëve 3 shqiptarë dhe 60 serbë.

Takimi përfundoi me propozimet dhe rekomandimet e palëve të interesuara për avancimin e bashkëpunimit mes palëve të interesuara dhe komunitetit lokal, revidimin e programeve studimore, përkrahjen e studentëve dhe të diplomuarëve në mbajtjen e praktikës dhe punësimit, si dhe promocionin e vazhdueshëm dhe avancimin e Departamentit në Bujanoc.