PDK kërkon që Blerim Sallahu të intervistohet nga Prokuroria pas deklaratave për të akuzuarit në Hagë

PDK kërkon që Blerim Sallahu të intervistohet nga Prokuroria pas deklaratave për të akuzuarit në Hagë

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi i ka reaguar zv/ministrit të Mbrojtjes, Blerim Sallahu, i cili tha mbrëmë se ka dëgjuar që dikush nga të akuzuarit në Hagë ka marrë më shumë para se që është dashur nga shteti për mbrojtje juridike.

Me anë të një postimi në Facebook, Bytyqi ka thënë se deklaratat e Sallahut janë skandaloze, dashakeqe dhe keq-informuese, shkruan lajmi.net.

“Fondi është i rregulluar në atë formë, sa që askush nuk mund të marrë as edhe një cent pa e ndjekur një procedurë të caktuar. Legjislacioni që e rregullon këtë fushë ishte hartuar në koordinim të ngushtë me vendet e BE-së, si dhe vetë Dhomat e Specializuara. Standardi që është vendosur si praktikë është standard ndërkombëtar”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka nënvizuar faktin se shpenzimet janë sekrete deri në përfundim të procesit gjyqësor, teksa pas përfundimit, ato do të bëhen publike.

Postimi i plotë i Bytyqit:

Deklaratat e zv. Ministrit të Drejtësisë të Qeverisë Kurti janë skandaloze, dashakeqe dhe keq-informuese, të cilat vijnë si vazhdimësi e sulmeve të mirë organizuara ndaj themelueseve dhe eksponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët gjinden në Hagë.

Fondi është i rregulluar në atë formë, sa që askush nuk mund të marrë as edhe një cent pa e ndjekur një procedurë të caktuar. Legjislacioni që e rregullon këtë fushë ishte hartuar në koordinim të ngushtë me vendet e BE-së, si dhe vetë Dhomat e Specializuara. Standardi që është vendosur si praktikë është standard ndërkombëtar.

Për të ruajtur integritetin e mbrojtjes, këto shpenzime dhe qasja në këto dokumente janë kategorizuar si sekrete deri në përfundim të procesit gjyqësor, pas së cilit, publikimi i tyre dhe të gjitha shpenzimeve do të bëhet transparent, siç e përcakton dhe kërkon legjislacioni në fuqi.

Megjithatë, tentimi i Qeverisë Kurti për të minuar qasjen në këtë fond nga të akuzuarit, është tentim i hapur për të dëmtuar mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara në emër të transparencës.

Kjo nxitje dashakeqe dhe e dëmshme për integritetin e mbrojtës, si dhe për interesin shtetëror të Republikës së Kosovës, duhet të ndalohet, qoftë edhe duke i trajtuar pretendimet e tyre të pabaza. Prandaj me këtë rast, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të intervistojë zv. Ministrin në lidhje me deklaratat e tij në të cilat pretendon se është abuzuar më këtë fond. /RTVALDI/