Haxhiu: Dhuna në familje po trajtohet si prioritet i veçantë

Haxhiu: Dhuna në familje po trajtohet si prioritet i veçantë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim shefin e misionit të OSBE-së, Michael Davenport.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, Haxhiu e ka njoftuar shefin e OSBE-së për prioritet dhe angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë, duke filluar nga përkushtimi ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit i cili ka nisë ndërtimin e infrastrukturës ligjore për ta fuqizuar atë.

Njoftohet se Haxhiu gjithashtu e ka informuar edhe për koncept dokumentin e votuar në Qeveri i cili është vetëm hapi i parë drejt hartimit të ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së paligjshme e të pajustifikueshme duke i informuar njëherit më shumë për përmbajtjen e tij.

“Dhuna në familje po ashtu si shqetësim qytetarë e i institucioneve të Republikës së Kosovës, ka nisur të trajtohet si prioritet i veçantë duke shprehë angazhimin për themelimin e sekretariatit si mekanizëm mbështetës për zyrën e Koordinatorit Nacional për mbrojtjen nga dhuna në familje. Ndër të tjerash delegacioni nga OSBE u njoftua edhe më shumë për Kodin e Procedurës Penale dhe Rishikimin Funksional. Rëndësi e veçantë iu kushtua edhe temës rreth adresimit të krimeve të luftës”, thuhet në njoftim.

Haxhiu tutje ka shprehur edhe gatishmërinë që sistemi i drejtësisë duhet t’i trajtojë problemet dhe çështjet e komuniteteve jo shumicë, veçanërisht ato të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve. Ajo ka shfaqur interesimin që institucionet të jenë sa më pranë qytetarëve të Republikës, e pashmangshëm duke përfshirë edhe komunitetet tjera.

Në anën tjetër, ambasadori Davenport ka shprehur vullnetin për t’i mbështetur veç e veç në prioritetet e vëna e po ashtu në përgjithësi në sfidat që e presin Qeverinë e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë, duke shprehë bindjen që bashkërisht do të arrihen qëllimet e vëna për të shënuar një progres më të madh në zhvillim të shtetit, institucioneve të Republikës, gjegjësisht përfitimit të të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim./RTVALDI/