Gjatë pandemisë janë ngritur vrasjet dhe dhuna në familje, kanë rënë vjedhjet dhe grabitjet

Gjatë pandemisë janë ngritur vrasjet dhe dhuna në familje, kanë rënë vjedhjet dhe grabitjet

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, publikon raportin “Kriminaliteti në pandemi”, në të cilin raport janë paraqitur trendet e kriminalitetit gjatë pandemisë.

Gjetjet janë ndërtuar përmes të dhënave statistikore të Policisë së Kosovës, ku janë krahasuar të dhënat mes periudhës kohore mars-dhjetor 2019 dhe mars-dhjetor 2020.

Shpërthimi i pandemisë së COVID-19 ka ndikuar edhe në trendet e kriminalitetit. Rreth 10 muaj pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, IKD ka bërë një analizë përmes të cilës ka pasqyruar ndryshimet e trendit të kriminalitetit, të cilat ndryshime konsistojnë në uljen apo ngritjen e kriminalitetit sipas llojit të tij.

Gjetjet e IKD-së tregojnë se gjatë periudhës së pandemisë (mars – dhjetor 2020) në Kosovë, është ngritur numri vrasjeve të rënda për 1 rast më shumë, nga 11 në 12 raste. Por, rritje ka pasur veçanërisht në rastet e vrasjeve, ku përderisa në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2019 ishin pranuar në Policinë e Kosovës katër (4) raste të vrasjeve, gjatë periudhës së pandemisë janë pranuar gjithsej 11 raste. Pra, për të dy (2) lloj vrasjet, si total, ngritje gjatë pandemisë ka pasur për 53.33%. Ngritje ka pasur edhe sa i përket veprave penale të ngacmimit ku nga 379 raste në periudhën e njëjtë të vitit 2019, në periudhën e pandemisë janë pranuar 402, pra 6.06% më shumë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, ulje të kriminalitetit ka pasur sa i përket veprave penale të kanosjes, ku nga 1,838 raste gjatë periudhës së njëjta në vitin 2019, ky numër ka rënë në 1,672 raste në periudhën e pandemisë, derisa sa i përket rasteve të sulmit, ky  numër ka rënë nga 1,111 raste në 898 raste.

Lidhur me veprat penale kundër martesës, IKD gjen se ka pasur disa lëvizje jo të shumë të theksuara të kriminalitetit, përjashtimisht dhunës në familje. Gjatë periudhës kohore prill-dhjetor 2020, Policia e Kosovës ka pranuar gjithsej 1,212 raste të dhunës në familje. Gjatë periudhës së njëjtë

kohore të vitit 2020, Policia e Kosovës ka pranuar 1,404 raste, pra 191 raste më shumë. Shprehur në përqindje, del se gjatë periudhës së pandemisë, dhuna në familje është rritur për 15.75%.

Sa i përket veprave penale të narkotikëve, IKD gjen se ka ulje të trendit të kriminalitetit sa i përket veprave penale që ndërlidhen me blerje apo shpërndarje dhe posedim të narkotikëve. Nga 290 raste që ndërlidhen me blerje, posedim dhe shpërndarje të narkotikëve, gjatë periudhës së pandemisë ky numër ka rënë në 207, pra numri i rasteve është ulur për 28.62%. Ndërsa, sa i përket posedimit të paautorizuar të narkotikëve, ky numër ka rënë nga 902 raste në 740 raste, pra ka pasur ulje për 17.96%. Por në anën tjetër, gjatë periudhës së pandemisë janë ngritur veprat penale të kultivimit të narkotikëve. Nga 23 raste në periudhën e  njëjtë të vitit 2019, gjatë pandemisë Policia e Kosovës ka pranuar 35 raste të kësaj natyre. Shprehur në përqindje, ngritja e numrit të rasteve për këtë vepër penale ka qenë 52.17%.

Gjatës periudhës së pandemisë, IKD ka gjetur po ashtu se, ka një ngritje të trendit të kriminalitetit sa i përket veprave penale kundër të drejtave dhe lirive themelore. Në këtë drejtim, sa i përket veprave penale rrëmbimi, shtrëngimi dhe fotografimet/inqizimet e paautorizuara, numri është rritur nga 48 raste në 71 raste. Pra, për këto vepra penale ka pasur rritje për 47.91%.

Ndërsa, sa i përket uljes së trendit të kriminalitetit gjatë pandemisë, gjetjet e IKD-së tregojnë se, shprehur në numër të rasteve, ulja më e madhe e këtij trendi ka qenë në raport me veprat penale kundër pasurisë. Përkatësisht, IKD ka gjetur se gjatë kohës së pandemisë, ka pasur numër më të vogël të rasteve të vjedhjeve, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 kur nga Policia e Kosovës ishin pranuar 3,754 raste, gjatë periudhës së pandemisë janë pranuar 3,164 raste, përkatësisht 15.71% më pak. Sa i përket vjedhjeve të rënda, ky numër ka rënë gjatë pandemisë nga 3,065 raste në 2,640 raste. Përkatësisht, gjatë periudhës së pandemisë janë pranuar 13.86% më pak lëndë të kësaj natyre. Ndërsa, sa i përket grabitjeve, ky numër ka rënë nga 126 raste në 112 raste, apo për 12.5%.

Për më tepër, gjeni të bashkangjitur fletën e fakteve dhe raportin e IKD-së “Kriminaliteti në pandemi”.