Belgjika ndalon udhëtimet jourgjente me të gjitha shtetet

Belgjika ndalon udhëtimet jourgjente me të gjitha shtetet

Belgjika ka marrë vendim që t’i ndalojë hyrjet dhe daljet nga vendi nga e mërkura deri më 1 mars për shkak të shqetësimeve rreth përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit, bëri të ditur kryeministri Alexander De Croo.

Ky vendim do të vlejë për udhëtimet tokësore, detare dhe ajrore, por përjashtim përbëjnë njerëzit që punojnë matanë kufirit si dhe ata që udhëtojnë për arsye shëndetësore apo familjare, shkruan AFP/.

“Ne nuk do të ndërojmë një mur rreth Belgjikës. Mund të shkojnë në shtetet e tjera por vetëm për arsye thelbësore”, tha kryeministri De Croo të premten në një konferencë për gazetarë.

Ky njoftim erdhi vetëm një ditë pas një samiti online të Bashkimit Evropian, gjatë të cilit udhëheqësit vendosën kundër ndalimit të udhëtimit brenda kufijve të brendshëm të BE-së.

Bashkimi Evropian po synon që ta shmangë përsëritjen e shkallës së parë të pandemisë në mars të vitit të kaluar, kur disa vende anëtare bënë panik dhe i mbyllën kufijtë shtetërorë në mënyrë të njëanshme, duke shkaktuar kaos në ekonomi dhe udhëtime.

Udhëtimi nga vendet tjera brenda BE-së tashmë është shumë i kufizuar. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve ka paralajmëruar se ekziston rrezik shumë i lartë që variantet më ngjitëse të virusit të përhapen në vendet e Bashkimit Evropian.