Zhdukja e dy milionë eurove, flet edhe drejtori i Thesarit

Zhdukja e dy milionë eurove, flet edhe drejtori i Thesarit

Pas skandalit me vjedhjen e mbi dy milionëve, ka folur edhe drejtori i Thesarit të Kosovës, Ahmeti Ismaili.

Ky i fundit me anë të një letre publike, ka thënë se që nga 16 tetori nuk është në zyre pasi që ka rezultuar pozitiv me COVID-19, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë së vjedhja në Thesar, ka ndodhur përmes krijimit të përdoruesve fals, dhe thyerjes së fjalëkalimeve të zyrtarëve përgjegjës në ministri.

“Veprimi që ka ndodhur është krejtësisht individual, duke tejkaluar autorizimet ligjore, duke ndërmarrë veprime të palejuara, duke krijuar përdorues false në sistem dhe duke thyer/resetuar fjalëkalime të zyrtarëve përgjegjës të ministrisë, nga e cila janë marre mjetet. Pra, ka përdorur qasjet nga sistemi për të bërë krim, i cili ka pasur qëllim mashtrimin përmes manipulimit dhe thyerjes nga brenda të sistemeve, që bie në domenin e krimit kibernetik po ashtu. Ky veprim është kryer pa bashkëpunim dhe pa asnjë aprovim nga eproret”, ka thënë ai në letër.

Deri tani, në lidhje me rastin është arrestuar një person, teksa dy të tjerë janë në arrati.

Ndërkaq, nga puna është suspenduar një zyrtar tjetër.