Maqedonia e Veriut paralajmëron masa të reja kundër COVID-19

Maqedonia e Veriut paralajmëron masa të reja kundër COVID-19

Maqedonia e Veriut po shqyrton mundësinë e vendosjes së masave të reja për mbrojtje nga sëmundja COVID-19, përfshirë: mbajtjen e maskave në ambiente të hapura, forcimin e kontrolleve në lokalet me më shumë klientë, kufizimin e numrit të udhëtarëve në transportin urban, si dhe vendosjen e gjobave më të larta për ata që nuk i respektojnë rekomandimet kryesore të institucioneve shëndetësore.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se të dhënat e 14 ditëve të fundit tregojnë se në 100,000 banorë trajektorja e pandemisë ka arritur në 79,2%, ndërkohë që në shtetet e tjera kjo mesatare është 76% .

“Sikur në të gjitha vendet tjera, edhe te ne ka rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus. Qytetarët kanë harruar rëndësinë e respektimit të masave dhe pasojat me të cilat përballemi të gjithë. Vera është pas nesh dhe me të përfundon periudha e qëndrueshme. Rreziku që sjell vjeshta është një alarm serioz që ne duhet të vazhdojmë të veprojmë për të mbrojtur sistemin shëndetësor”, tha Filipçe.

Sipas tij, festimet familjare, dasmat – edhe pse të ndaluara – dhe relaksimi i qytetarëve gjatë verës janë arsyet kryesore që kanë çuar në përkeqësimin e situatës me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, dhe rritjen e numrit të viktimave dhe të të infektuarve.

“Ne do t’i forcojmë masat dhe kontrollet dhe ju bëj thirrje ta kuptoni mesazhin se situata është shumë serioze”, tha Filipçe.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, në 24 orët e fundit janë regjistruar pesë viktima dhe 88 raste të reja me koronavirus, ndërsa 135 persona janë shëruar.

Gjithsej janë testuar 1,618 mostra.

Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë diagnostikuar gjithsej 16,867 persona me COVID-19.

Prej tyre, 14,084 persona janë shëruar, 705 kanë vdekur, ndërsa 2,078 raste janë ende aktive.