Koci: AKI-ja urgjentisht të rekrutojë njerëz që i sjellin informacione nga brezi kufitar

Avokati kosovar, Arianit Koci, ka kërkuar që Agjencia Kosovare e Inteligjencës të rekrutojë persona që jetojnë në brezin kufitar me Serbinë.

Avokati Arianit Koci, ka thënë se Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), duhet urgjentisht të rekrutojë individë që jetojnë në brezin kufitar Kosovë-Serbi të mbledhin informata për lëvizjet e ushtrisë serbe.

Koci ka thënë se kjo është legjitime dhe është obligim ligjor për AKI-në.

“Organet e sigurisë, e posaçërisht AKI, duhet urgjentisht, nëse nuk e ka bërë deri me tani, ta rekrutojë një apo më shumë individë që jetojnë në brezin kufitar, në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë informata për inkurzionet e ushtrisë serbe. Kjo është krejt legjitime – madje edhe obligim ligjor për AKI-në”, ka shkruar ndër të tjerash Koci në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i Kocit, pa ndërhyrje:

KFOR-i, së bashku me xhandarmërinë serbe, qe 12 vjet patrullojnë së bashku përgjatë një pjese të vijës kufitare Kosovë-Serbi.

Forcat serbe madje hyjnë aq thellë brenda territorit tonë, saqë edhe kamerat e një restoranti në Kosovë i xhirojnë.

Çka mësuam nga kjo ngjarje:

1. KFOR-i nuk po e tregon respektin e as kurtoazinë elementare, që së paku t’i informojë organet e sigurisë kosovare.

2. Organet e sigurisë (Polici, AKI dhe FSK), nuk po i kryejnë detyrat e veta.

Derisa KFOR-in, ligjerisht nuk munden, dhe nuk duhet ta përcjellin, është krejt legjitime që organet tona kompetente, të marrin informata për lëvizjet e forcave serbe brenda territorit të Kosovës – edhe nëse janë së bashku me KFOR-in.

3. Popullata lokale, është dashur, nëse i kanë parë më herët forcat serbe (po flitet për 12 vjet patrullimi), ta informojnë së paku stacionin policor më të afërt.

Çka duhet berë tash e tutje?

1. Të mbahen kontaktet e rregullta me KFOR-in, në mënyrë që të jemi të informuar – së paku udhëheqësit tanë shtetërorë.

Dje, të gjithë ne e kishim ndier vetën të lehtësuar po të dilte Presidenti apo Kryeministri e të thontë se: “Çdo gjë është nën kontroll. Jemi të informuar … “.

2. Organet e sigurisë, e posaçërisht AKI, duhet urgjentisht, nëse nuk e ka bërë deri me tani, ta rekrutojë një apo më shumë individë që jetojnë në brezin kufitar, në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë informata për inkurzionet e ushtrisë serbe. Kjo është krejt legjitime – madje edhe obligim ligjor për AKI-në.

3. Mbi të gjitha, popullata lokale që jeton në brezin kufitar, jo vetëm në atë pjesë, mirë është ta informojë së paku policinë lokale për çdo gjë të dyshimtë që ndodh brenda kufirit tonë.

T’i ndihmosh organet e sigurisë kosovare është nder, privilegj dhe patriotizëm.