Dialogu me Serbinë nuk ndalet, Hoti: Ai nuk ka alternativë, do të kryesohet nga unë

Dialogu me Serbinë nuk ndalet, Hoti: Ai nuk ka alternativë, do të kryesohet nga unë

Propozim-aktakuza ndaj dy liderëve të UÇK’së, presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli nuk pritet të stopojë dialogun me Serbinë. Ekzekutivi në mbledhjen e sotme qeveritare ka formuar “Këshillin e Ekspertëve për dialogun”, derisa kryeministri, Avdullah Hoti theksoi se dialogu duhet të vazhdohet i kryesuar nga ai, sepse për Kosovën nuk ka alternativë tjetër.

I pari i qeverisë para kabinetit qeveritar, duke komentuar propozim-aktakuzën ndaj liderëve të UÇK’së, dhe aluduar në funksionimin e Gjykatës Speciale, tha se Kosova do të jetë e përgjegjshme karshi obligimeve ndërkombëtare që ka.

“Pavarësisht zhvillimeve që ndodhin dialogu nuk ka alternativë. Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe gatishmëri si shtet që të hyjmë në këtë proces. Kosova është e përgatitur për këtë proces, është bërë një punë e madhe në qeveritë e kaluara që tash është duke u sistemuar në secilën prej temave të mundshme të dialogut. I cili duhet të fillojë nga temat kryesore që është njohja reciproke. Tani jemi duke punuar që të kompozojmë një delegacion, një ekip shtetërore që do të përfaqësojë Kosovën në këtë proces. Sigurisht kryesuar nga kryeministri në bazë të kompetencave Kushtetuese”, tha ai.

Sipas tij, ato janë obligime kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

“Kosova siç ka vepruar edhe në të kaluarën dhe tash do të jetë e përgjegjshme karshi obligimeve kushtetuese. Obligimeve ligjore që ka dhe obligimeve ndërkombëtare si shtet”, tha ai

Edhe pse nuk u përmenden emrat e këshillit të ekspertëve për dialogun, zëvendëskryeministri i tretë, Driton Selmanaj tha se këshilli do të udhëhiqet nga një koordinator që njëkohësisht do të jetë edhe këshilltar i kryeministrit.

“Propozojmë të themelohet këshilli i ekspertëve për dialog me Serbinë si zyrë e veçantë në kuadër të zyrës së kryeministrit. Këshilli i ekspertëve bënë analiza specifike dhe këshillon kryeministrit dhe qeverinë për çështjet e dialogut me Serbinë sipas temave që diskutohet. Përgatit raporte për pozicionin e Kosovës, dokumente analitike, fakto grafikë dhe të tjera sipas nevojës. Kryeministri emëron koordinatorin për dialog i cili udhëheq me punën e këshillit, njëkohësisht është edhe këshilltar i kryeministrit dhe i përgjigjet drejtpërdrejt atij”, tha ai.

Por në këtë pikë, shprehu pakënaqësi, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili kërkoi që koordinatori të cilësohet si shtetëror dhe të ketë atribute të larta kombëtare dhe të relacioneve të brendshme, e ndërkombëtare.

“Do të kishte atribute më të larta edhe sa i përket relacioneve të brendshme. Ju e theksuat se ai do të koordinojë ehe me akademinë dhe subjektet tjera me faktorin tjetër. Por edhe në relacionet ndërkombëtare”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme qeveritare u sistemuan strukturat e ish-Ministrisë së Integrimeve brenda zyrës së kryeministrit, derisa u tha se shumë shpejt do të ketë një agjenci të veçantë për integrimet evropiane.

Ndërkaq, propozim-vendimi për themelimin e komitetit ndërministror për përzgjedhjen e projektit për kompleksin memorial, “Adem Jashari” u shty për mbledhjen e ardhshme.

Kabineti qeveritar gjithashtu shfuqizoi edhe disa vendime të qeverisë së kaluar Kurti që kanë të bëjnë me komisionin shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror.