​Qeveria e Kosovës parashihet t’i ketë 15 ministri dhe 40 zëvendësministra

Qeveria e Kosovës parashihet që në çdo kohë të ketë vetëm 15 ministri dhe 40 zëvendësministra

“Projektligji për Qeverinë” është prezantuar sot nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besnik Tahiri.Tahiri tha se që qëllimi kryesor i këtij ligji është organizimi dhe funksionimi më i mirë dhe më efikas i qeverisë.

“Qeveria adekuate duhet të kishte 15 ministri, por edhe për 2 ministri duhet t’i lihet diskrecion mandatarit. Nuk do të ketë ministër pa portofolio, nuk do të ketë ministri që krijohet për një individ. Të jenë 40 zëvendësministra”, tha ai.

Në këtë projektligj janë paraparë edhe kufizimet e qeverisë në dorëheqje.

Po ashtu, në këtë projektligj trajtohet edhe parandalimi i konfliktit të interesit, ku anëtarët e qeverisë dhe zëvendësministrat nuk mund te ushtrojnë funksion tjetër publik përveç kur ai ushtrohet sipas detyrës zyrtare. Po ashtu, nuk mund të ushtrojnë asnjë funksion në pushtetin lokal dhe nuk mund të mbajnë asnjë marrëdhënie tjetër të punës në sektorin privat.