Donika Kadaj zbulon pse nuk votoi për Qeverinë “Hoti”

Deputetja e AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, është deklaruar për mosvotmin e saj ndaj Qeverisë “Hoti”.

Përmes një postimi në Facebook, ka thënë se arsyeja pse nuk e votoi Avdullah Hotin për kryeministër është pasi, siç tha ajo, për shkak të insistimit të tij në heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Kadaj-Bujupi më tej ka thënë se në këtë rast është anashkaluar Vjosa Osmani, ndërsa është caktuar një kandidat tjetër sipas saj në tavolinë, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë:

Kryeministri Avdullah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të mia politike. Ai ishte i pari dhe më i zëshmi që insistonte në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehem rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime. Ky dialog ka shumë paqartësi dhe shumë udhëkryqe. Prandaj kërkon një udhëheqje të qëndrueshme dhe parimore.

Jam e vetëdijshme që në zgjedhje nuk votohet për kryeministër. Pra jo domosdoshmërisht kandidati/ja që ka fituar më shumë vota duhet të jetë domosdoshmërisht kryeministër. Por nuk mund të themi se vota e qytetarëve nuk është fare e rëndësishme. Në këtë rast është anashkaluar nje grua e cila u votua për kryeministre dhe u caktua një kandidat tjetër në tavolinë.

Prandaj edhe nuk votova për Hotin kryeministër