Koronavirusi, pse Gjermania ka më pak viktima se shtetet tjera

Koronavirusi, pse Gjermania ka më pak viktima se shtetet tjera

Ndërsa numri i të prekurve nga Covid-19 në Gjermani ka kaluar shifrën e atyre në Kinë, po shkon drejt kuotës 100 mijë, shkalla e vdekshmërisë gjermane vazhdon të qëndrojë relativisht e ulët. Janë në fakt 1300 të vdekur në 16 landet federale gjermane.

Është e vërtetë që përqindja është në ndryshim të vazhdueshëm. Sipas të dhënave të Robert Koch Institut (RKI), vdekja nga pandemia në Republikën Federale është tani ’1,3%, por ishte 0,8% vetëm një javë më parë. Megjithatë larg përqindjes dramatike në Itali 12% dhe nga 10% në Spanjë, Francë dhe Britaninë e Madhe.

“Duhet të vëmë në llogari se do të jenë më shumë të vdekur”, pranon drejtori i Koch Institut, Lothar Ëieler, sipas të cilit “jemi në fillim të epidemisë dhe nuk duhet të dorëzohemi”.

Ëieler pranon se numri i të vdekurve mund të jetë nënvlerësuar: “Besoj se janë më shumë se shifrat zyrtare”. Por nuk është e qartë nëse i referohet vetëm Gjermanisë apo kuadrit ndërkombëtar. Një nga arsyet e nënvlerësimit sipas drejtorit të RKI është sepse autopsitë bëhen pas disa ditësh, çka sjell që të zhduken gjurmët e Covid-19. Duhet rikujtuar se në javët e parë të krizës, testi i postvdekjes nuk bëhej fare.

Por edhe nëse të vdekurit gjermanë janë më shumë se shifrat zyrtare, anomalia qëndron: në Gjermani pandemia është më pak vdekjeprurëse se në vendet e tjera. Pse?

Përgjigjet janë të ndryshme sipas ekspertëve. Ndërkohë, mosha e prekur në Gjermani është më e re se sesa në vendet e tjera: 49 vjeç kundër 62 në Itali dhe Francë. Është e qartë se të sëmurët më të rinj kanë më shumë mundësi të mbijetojnë sesa të moshuarit.

Pastaj është edhe çështja vendimtare e testeve. Asnjë vend nuk bën më shumë teste se Gjermania, që aktualisht ecën me ritmin e 400 mijë testeve në javë dhe disa bëhen edhe më të ashtuquajturin “corona taxi”, që do të thotë testet bëhen edhe nëpër shtëpi.

“Kjo automatikisht ul shkallën e vdekshmërisë”, shpjegon Hans-Georg Kraeusslich, shef i departamentit të virologjisë në Universitetin e Heidelberg. Por mbi të gjitha, testimi në masë ka bërë që të kapen të prekurit në fazë fillestare dhe kështu është ndërhyrë menjëherë me terapitë në karantinë. “Sa më përpara të kemi një diagnozë, më të larta janë shanse e mbijetesës”, thotë Kraeusslich.

Testimi gjerman tani po kalon një hap cilësor. Brenda muajit prill do të jetë operativ plani që do të verifikojë imunitetin e pacientëve të shëruar. Në fazën e parë do të jenë 100 mijë në javë. Dhe ata që do të rezultojnë negativ në testin e dytë ose të tretë të testit të gjakut, do t’iu jepet një pasaportë speciale imuniteti, kjo do ti lejojë ata të kthehen në punë ose të përdoren si vullnetarë në ndihmë të personave të sëmurë dhe të izoluar. Do të jetë sikur të krijosh një pararojë për të nisur aktivitetin prodhues.

Por sekreti jo dhe aq sekret i vdekshmërisë së ulët në Gjermani qëndron mbi të gjitha në kapacitetin e sistemit spitalor. Në fillim të krizës ishin 28 mijë stacione terapie intensive në spitalet gjermane, baras me 34 për çdo 100 mijë persona. Për krahasim, në Itali ishin 12 dhe në Holandë 7 për një mijë banorë. Një muaj më pas, sistemi shëndetësor gjerman ka 40 mijë vende për terapi intensive. Edhe pse kurba ka nisur të ulet, Ëieler thotë se masat kufizuese do të qëndrojnë në fuqi për të konsoliduar efektet pozitive. Prej pak ditësh mesatarja e numrit të të prekurve ka rënë në 1 nga 5 që ishte dy javë më parë. “Duhet të zbresim në 1, përpara se të mendojmë ndonjë mënyrë të zbutur të masave”, ka saktësuar drejtori i Koch Institut.

Edhe Angela Merkel, në podcast-in e saj javor i ka paralajmëruar gjermanët: “Nuk do të ishim të përgjegjshëm nëse do të jepnim shpresa të rreme”, tha kancelarja, sipas të cilës, “është shumë herët për të identifikuar një dinamikë të sigurtë pozitive” në kurbën e epidemisë. Merkel ka konfirmuar se bllokimi i jetës publike do të vazhdojë të paktën deri në fund të pushimeve të festës së Pashkës. Ndoshta, edhe “forca e qetësisë” e kancelares ka kontribuar në mbajtjen e ulët të vdekshmërisë nga pandemia në Gjermani.