Apostolova: Rruga e Kosovës drejt integrimit, e njëjtë me atë të shteteve tjera

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se siç deklaroi edhe shefja e saj...

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se siç deklaroi edhe shefja e saj, Federica Mogherini, lidhur me rrugën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk ka ndonjë dallim mes Kosovës dhe vendeve të tjera.

“Rruga europiane është e qartë dhe u konfirmua nga shefat tanë më të lartë“, tha Apostolova.

“Përkushtimi e mbështetja nga BE është e njëjtë, kushtet janë të njëjta”, theksoi ajo, duke shtuar se ajo që është e qartë është se Bashkimi Europian nuk mund dhe nuk do të importojë konteste bilaterale.

Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, Apostolova theksoi se për të dy vendet nuk ka dhe nuk do të ketë alternativë tjetër, njofton Kallxo.com.

“Ndryshimi fillon prej shtëpisë. Është bërë përparim, por për reforma bindëse duhet ende përkushtim”, shtoi shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Si çështje më urgjente për Kosovën ajo përmendi reformën në sundim te ligjit, luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, një administratë publike më efektive dhe sistem arsimor cilësor.

Këto komente Apostolova i bëri në një konferencë për media pas publikimit të Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga drejtuesit e Bashkimit Europian në Bruksel.

Strategjia për Ballkanin Perëndimor, dokumenti për gjashtë vendet e Ballkanit, është publikuar sot në Bruksel nga Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

Drejtuesit e BE-së thanë se Kosova në rrugën e integrimit europian do të avancojë “atëherë kur ta mundësojnë rrethanat objektive” ndërsa Serbisë dhe Malit të Zi u ofruan perspektivën e integrimit në bllok pas tetë vitesh.