Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z. Ragmi Mustafa takim me presidentin e Shqipërisë z.Ilir Meta

Me ftesë të presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z. Ragmi Mustafa realizoi një takim...

Me ftesë të presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Ilir Meta, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z. Ragmi Mustafa realizoi një takim vëllazëror në institucionin e presidentit.

Kryetari Mustafa nga afër e njoftoi presidentin SH.T.Z. Ilir Meta lidhur me situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Luginë të Preshevës, me theks të veçantë në Komunën e Preshevës e cila ndodhet akoma në proces të papërfunduar zgjedhorë si pasojë e parregullsive të shumta dhe përfshirjes së aparatit shetëror serb në zgjedhjet lokale të 24 dhjetorit 2017. Poashtu kryetari Mustafa shprehu shqetësimin lidhur me vazhdimin e diskriminimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e qeverisë së Beogradit, si në çështjen e përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, në zhvillimin ekonomik, problemeve në fushën e arsimit, shëndetësi, gjyqësi etj., të tëra këto që vështirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë në këtë trevë dhe si rezultat i këtyre politikave diskriminuese po përballemi me shkallë të lartë të migrimit të qyterarëve shqiptar.

Presidenti shqiptar, SH.T. Z Ilir Meta shprehu mbështetjen e tij maksimale për trajtimin e kërkesave legjitime të shqiptarëve në Luginë, ku kryetarin Mustafa e siguroi se Shqiparët në Preshevë nuk do të ndihen kurrë vetëm .

Në vazhdën e takimeve gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetari Mustafa pati takim edhe me liderin e opozitës njëherit kryetar i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha si dhe me kryetarën e Lëvizjes Socialiste për Integrim znj. Monika Kryemadhi, të cilëve u paraqiti urgjencën e zgjidhjes së problemit të shqiptarëve të Luginës, duke potencuar se procesi i çështjes së shqiptarëve të Luginës është prioritet obsolut për Partinë Demokratike Shqiptare dhe shqiptarët e Luginës.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që duhet të jepet kontribut maksimal në zgjidhjen politike të statusit dhe pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ku e siguruan kryetarin Mustafa që së shpejti do të fillojnë hartimin e një rezolute në Parlamentin Shqiptar që do të dedikohet zgjidhjes së çështjes të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.