Një kompani për prona të paluajtshme, e cila është në bashkëpronësi të dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, i ka marrë 90 milionë dollarë përmes financimit të jashtëm. Këto investime kanë ndodhur pasi Kushner u bë pjesë e Shtëpisë së Bardhë si këshilltar i lartë i presidentit amerikan.
Këto investime kompanisë i kanë ardhur nga vendet e jashtme, ndërsa dhëndri i presidentit punon si përfaqësues i jashtëm i saj. Paratë erdhën nga Ishujt Cayman, të cilët njihen si parajsë e taksave dhe ku fshehtësia e korporatave është e garantuar.
Kushner, i cili është i martuar me vajzën e madhe të Trumpit, Ivankan, ka vazhduar t’i mbajë aksionet në kompaninë “Cadre” edhe pasi u bë pjesë e administratës amerikane, ndërsa i ka shitur asetet tjera. Sipas dokumenteve financiare, pjesa e tij në këtë kompani e ka vlerën e 50 milionë dollarëve.
Financimet e jashtme që i kanë ardhur kësaj kompanie mund të përbëjnë konflikte të fshehta të interesit për Kushnerin në kohën kur ai po punon për qeverinë amerikane. Kështu kanë thënë disa ekspertë, të cilët janë të shqetësuar për mungesën e transparencës lidhur me këto investime.
“Kjo do të ndikojë që njerëzit të mendojnsë se ai është duke u ndikuar në mënyrë të parregullt”, tha Jessica Tillipman, ligjëruese në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit “George Ëashington”, ku jep mësim për etikën qeveritare dhe ligjet kundër korrupsionit, shkruan “The Guardian”.