Një vend në Serbi propozon një bulevard me emrin e Ibrahim Rugovës

Një vend në Serbi propozon një bulevard me emrin e Ibrahim Rugovës

Në qytetin e Novi Pazarit në Serbi, janë propozuar disa ndryshime të emërtimeve të rrugëve të këtij qyteti.

Emri i Shaban Polluzhës, Ibrahim Rugovës e Adem Demaçit janë disa prej emrave të cilët janë propozuar për ri-emërtimet e disa rrugëve në këtë qytet.

Kjo iniciativë është ndërmarrë nga Këshilli Kombëtar Boshnjak, megjithatë ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Përveç këtyre emrave të figurave historike të shqiptarëve, janë propozuar edhe emrat e disa figurave historike boshnjake për emërtime të këtyre rrugëve, siç është ai i Aqif Haxhiametoviq i njohur si Aqif Efendia, kryetar i Novi Pazarit gjatë luftës së dytë botërore.

Me emrin e Shaban Polluzhës është propozuar të emërohet rruga në Hotkov, me emrin e Ibrahim Rugovës pritet që të emërohet rruga aktuale ‘Sutjeska’, ndërsa me emrin e Adem Demaçit rruga në vendin e quajtur ‘Lug’.

Në arsyetimin për ndryshimin e rrugëve të Sanxhakut, thuhet se emrat aktual të rrugëve nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë identitetin e Novi Pazarit.

“Në asnjë mënyrë ato nuk pasqyrojnë atë që është Novi Pazari, dhe nuk pasqyrojnë identitetin e Novi Pazarit dhe qytetarëve të këtij vendi”, shkruan ‘telegraf.rs’, transmeton Gazeta Express.

Ndërkohë deputetët e Sanxhakut e kanë lëshuar seancën e Kuvendit Komunal të Novi Pazarit, pasi që propozimi i tyre ishte larguar nga rendi i ditës me vendim të Partisë Progresive të Serbisë të Aleksander Vuçiqit.