Gazetarja kishte bërë një postim të fundit, katër minuta para se të vritej në rrugët e Irlandës së Veriut

Gazetarja kishte bërë një postim të fundit, katër minuta para se të vritej në rrugët e Irlandës së Veriut

Një postim në të cilin ajo përshkruante gjendjen në teren ka qenë i fundit për gazetaren hulumtuese Lyra McKee pak para se ajo të qëllohej për vdekje gjatë trazirave në rrugët e Derry, Irlandë e Veriut.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, McKee, 29 vjeçe, u qëllua nga një plumb në kokë, kur një person i armatosur hodhi një numër të shtënash në drejtim të policisë, në atë që forcat në Irlandën e Veriut po e trajtojnë si një “incident terrorist”.

Siç thuhet tutje, policia ka fajësuar grupin republikan disident “New IRA” për vrasjen e gazetares.

Gjithashtu, përveç të shtënave, thuhet se nuk munguan as bombat e benzinës, tullat dhe shishet, që u hodhën në drejtim të veturave të policisë, të enjten në mbrëmje.

Në orën 10.56 të mbrëmjes, rreth katër minuta para se ajo të ishte plagosur për vdekje, znj. McKee postoi një foto të skenës me flakë dhe tym të dukshëm në distancë.

Ajo shkroi: “Derry sonte, çmenduri absolute”.

Fituesja e disa çmimeve, McKee, nga Belfast, ka punuar si redaktore për gazetën me bazë në Kaliforni, Mediagazer. Shkrimet e saj thuhet të jenë publikuar edhe nga media tjera.

Merret vesh se ajo ishte transferuar kohët e fundit në Derry për të jetuar me partnerin e saj.