Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri tani ka pranuar vetëm një aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Ndërkohë, për subjektet politike sot është afati i fundit për të aplikuar në KQZ, të drejtë aplikimi kanë pasur që nga data 9 prill.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi pohoi për Telegrafin, se vetëm Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për certifikim për zgjedhjet në veri. Ai, tha që aplikimet do t’i presin edhe gjatë ditës së sotme.
“Sot është afati i fundit për subjektet politike, që të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto komuna. Aplikimet do t’i presim deri në orën 24:00. Deri më tani kemi pranuar vetëm një aplikim. Bëhet fjalë për Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka paraqitur aplikimin për kryetar të këtyre komunave”, ka thënë Valmir Elezi