Notre Dame do të restaurohet brenda pesë vjetësh, ka deklaruar presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Për ta kthyer në gjendjen e mëparshme biznesmenë nga e gjithë bota janë shprehur të gatshëm për të ndihmuar me para. E një gjë të tillë do ta bëjë edhe Kosova. Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot se me buxhet të Kosovës do të ndihmohet Franca.
Ky vendim i kryeministrit Haradinaj ka marrë kritika të shumta nga deputetët e shoqëria civile.
Megjithatë, kjo punë tashmë është vendosur dhe nesër në mbledhjen e Qeverisë priten të ndahen fondet. Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar Donjeta Gashi nga zyra e kryeministrit Haradinaj.
“Paratë ndahen në mbledhje të Qeverisë, mbledhja mbahet nesër. Nuk dihet ende shuma”, tha Gashi.
Por, ky solidarizim i kryeministrit me Francën nuk po i pëlqen opozitës.
Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, ka reaguar ndaj Ramush Haradinajt se po e ndihmon Francën përderisa objektet e trashëgimisë sonë kulturore janë buzë rrëzimit.
Reagim të ngjashëm ka dhënë edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës; as si substancë e as si simbolikë. Për Notre Dame janë mbledhur mbi 1 miliardë euro tashmë”, ka thënë ai.
Për këto para më shumë kanë nevojë qytetarët e Kosovës, ka shtuar Abdixhiku, transmeton Gazeta Express.
Kritika ka marrë edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës, e kryenegociatori Shpend Ahmeti.
Përmes një shkrimi në Facebook, Ahmeti ka shkruar se paratë do të duhet të shkonin në renovim të shtëpive që janë raste sociale, teksa ka cekur edhe disa raste të djegieve të shtëpive në disa komuna.
Ndërsa, u raportua në media se pas kritikave Ramush Haradinaj ka thënë se shuma e parave që do t’i ndahen Francës do të jetë simbolike.
Ndryshe, dy ditë më parë Notre Dame simboli i trashëgimisë kulturore të kryeqytetit francez është përfshirë nga flakët. Ai është shkatërruar pothuajse tërësisht, ndërsa nuk dihen shkaqet se si u përfshi nga zjarri.
Në ato momente me Francën ka bashkëndier e gjithë bota, përfshirë edhe kosovarët.