Mediat në Serbi për një kohë spekulojnë se gjeneralët e pensionuar kroatë do të marrin një rol të rëndësishëm në Ushtrinë e Kosovës.
“Veteranët e “Oluja” trajnojnë shqiptarët! Kroatët mësojnë oficerët e Ushtrisë së Kosovës!”
Ky mund të jetë përshkrimi i një teksti paniku, i publikuar në mediumin serb Novosti.rs ku si edhe më parë, mediat serbe, përsëri zhvilluan teorinë se oficerët kroatë në pension trajnojnë forcat e armatosura të Kosovës, me qëllim të marrjes së veriut të Kosovës.
Zyrtarët kroatë hyjnë në Kosovë përmes Malit të Zi, me miratimin e NATO-s, dhe në të gjithë këtë është i përfshirë edhe Ante Gotovina, shkruan Novosti.
Madje, sipas Ljuban Karan, një ish-oficer, ka një kohë të gjatë që ekzistojnë lidhjet e forta mes ushtrisë kroate dhe strukturave të armatosura shqiptare në Kosovë.
“Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve luftuan në radhët e ushtrisë kroate, dhe këto lidhje janë ruajtur edhe pas luftës. Përvoja e oficerëve kroatë nga “Oluja” dhe “Bljeska” janë veçanërisht interesante, sepse shqiptarët nga Kosova janë duke planifikuar veprime të ngjashme në veri të Kosovës”, citohet të ketë thënë Karan.
Teoritë e tilla dhe të ngjashme drejtohen nga mediat serbe sa herë që Vuçiq gjendet në vështirësi.
Po sipas këtij mediumi, protestat e vazhdueshme të udhëhequra nga një koalicion i paparë i partive të majta dhe të djathta janë mundësi e shkëlqyer për media të Vuçiqit për të nxitur tema lidhur me Kroacinë dhe Kosovën.
Gjithashtu, sipas këtij mediumi, nuk është hera e parë që mediat serbe e lidhin Gotovinën me trajnimin e Ushtrisë së Kosovës.
Atë dhe Mladen Markac mediumi serb Alo i kishte përmendur në lidhje me formimin e Ushtrisë së Kosovës në mes të vitit 2017.
Përveç këtyre, edhe parlamentari serb Milovan Drecun vetëm kishte “konfirmuar” mundësinë që Gotovina dhe disa të tjerë të marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës.