Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me largimet e të rinjve nga Kosova. Fidan Rekaliu nga LDK-ja, iniciator i kësaj seance, e quaji të dhimbshëm faktin e ikjes së të rinjve nga Kosova, por jo vetëm të tyre. Ai përmendi edhe ikjen e njerëzve profesionistë, duke marrë shembull mjekët.
Rekaliu propozoi edhe një rezolutë për mbrojtje të të rinjve.
“Veçanërisht është brengosëse ikja e të rinjve. Krahas problemeve të shumta dhe sfidave që po kalon vendi, ikja e tyre është gjëja më e keqe që po i ndodh Kosovës. Në angazhimet e mia si deputet pjesë kryesore të punës sime është bashkëpunimi me të rinj, me shoqëri civile. Në turin tim të fundit gjatë bashkëbisedimit me të rinj ishte çështja e ikjes së të rinjve në kërkim të një jete më të mirë. I kemi të njohura arsyet pse po ikin nga Kosova, e ajo kryesore është pa perspektiva për një jetë normale. Gjendja e krijuar nga afera e skandale në punësime partiake me të vetmin kriter çelësin familjar e partiak e vret ëndrrën për të qëndruar në Kosovë. Është i dhimbshëm fakti që Kosovën po e braktisin edhe të rinj të shkolluar të cilëve nuk u dha mundësia për ta dëshmuar veten”, tha ai.
“… Po largohen mjekë e inxhinierë, jo pse nuk e kanë të siguruar jetën financiare, por sepse institucionet nuk sigurojnë mbrojtje shëndetësore e as siguri për fëmijët e tyre. Nga statistikat e fundit del se të rinjtë e Kosovës prijnë për të ikur nga vendi. Pavarësisht vrapit për të krahasuar vitet 2014-15, pavarësisht nxjerrjes së statistikave, nga Kosova po largohen qytetarë të moshave të ndryshme. Kosovës po i ikë rinia”, tha Rakaliu.
Ai ka kërkuar që të merren hapa konkretë për punësimin e të rinjve. Rakaliu tha se në punësimet në sektorin publik duhet të heqin dorë nga punësime familjare e partiake.
“Zbrazja e Kosovës është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë vendit. Kërkoj që ta propozojnë një rezolutë unifikuese për mbrojtjen dhe avancimin e të rinjve në Republikën e Kosovës”, tha ai.