Ministrat e jashtëm të shteteve më të zhvilluara në botë, anëtare të G7 iu kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve me anë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive për t’i normalizuar marrëdhëniet e tyre me anë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme në mënyrë që të mund të bëjnë progres në rrugën evropiane”, thuhet në njoftimin e këtij grupi.
Sipas tyre, pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në mes këtyre dy vendeve nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
G7 kanë konfirmuar angazhimin e tyre ndaj sigurisë, stabilitetit, prosperitetit dhe perspektivës evropiane për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata gjithashtu kanë theksuar rëndësinë e përmirësimit të reformave të nevojshme brenda këtyre vendeve, veçanërisht ato që lidhen me sundimin e ligjit.
Theksojmë se anëtarët e G7 janë Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.