May mbron marrëveshjen e Brexitit, me gjithë thirrjen për mocion votëbesimi

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka siguruar të premten mbështetjen e dy ministrave të lartë të Qeverisë...

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka siguruar të premten mbështetjen e dy ministrave të lartë të Qeverisë, në kuadër të betejës së saj për ta mbrojtur draftin e kritikuar të ujdisë së divorcit me Bashkimin Evropian, në kohën kur po shtohen thirrjet për mbajtjen e një mocioni të votëbesimit për udhëheqjen e saj.

Më se dy vite pasi Britania e Madhe votoi për të dalë nga BE-ja, mbetet ende e paqartë mënyra se si, nën çfarë kushtesh dhe nëse fare vendi do të dalë nga blloku në datën e planifikuar, më 29 mars 2019.

May, e cila e mori detyrën e kryesimit të qeverisë në kohën e trazimeve më të mëdha pas referendumit të 2016-s, ka njoftuar të martën se është e ka dhënë pëlqimin për një marrëveshje Brexiti që ia lejon Britanisë së Madhe daljen nga blloku më i madh tregtar në botë në mënyrën më të butë të mundshme.

Mirëpo ministri i Brexitit, Dominic Raab, dha dorëheqje të enjten shkaku i marrëveshjes së saj, duke shkaktuar trazim në qeveri, pas dorëheqjes së mëparshme të disa kolegëve të tjerë të tij, përcjell Koha.net.

Si rrjedhojë, edhe disa prej ligjvënësve të partisë së saj kanë nisur ta përmendin mundësinë e shkarkimit të kryeministres dhe thanë në mënyrë të prerë se marrëveshja e tillë e Brexitit nuk do ta marrë miratimin e Parlamentit.