Duke e “evropianizuar” Ballkanin, Evropa e “ballkanizoi” veten

Është koha që ta pranojmë dështimin e të ashtuquajturit “evropianizim” i Ballkanit. Para dy vitesh, e dhashë një intervistë për Radion Evropa e Lirë,

Është koha që ta pranojmë dështimin e të ashtuquajturit “evropianizim” i Ballkanit. Para dy vitesh, e dhashë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e cila tërhoqi shumë vëmendje. Reagimet, disa pozitive e disa negative, ishin nxitur nga një fjali e vetme: “Zgjerimi i BE-së nuk do të ndodh”. Shumë komentues e çmuan qasjen time të hapur ose edhe prirjen për të provokuar, por shumë të tjerë thanë se kjo që kam thënë është thjesht skandaloze. Ata deklaruan se është e papërgjegjshme të thuhet diçka e tillë tash, kur vendet e Ballkanit duhet ta bëjnë përpjekjen përfundimtare për ta kryer tranzicionin pas-socialist.

Në atë kohë thashë se, edhe po të ndodhte zgjerimi i BE-së, BE-ja si e tillë do të ishte një strukturë thellësisht e riorganizuar, me kushedi sa anëtarë dhe me kushedi çfarë rregulla të brendshme. Qëllimi im, atëherë dhe sot, është që ta pranojmë dështimin e të ashtuquajturit “evropianizim” i Ballkanit përmes kundërshtimit të atyre që për dy dekada na janë paraqitur si zgjidhje dhe të cilat e pengojnë rajonin: integrimi evropian, drejtësia tranzicionale dhe reformat neoliberale të ekonomisë. Këto unë i quaj tri iluzione.

Iluzioni parë, kinse integrimi është zgjidhje për gjithçka, është mbështetur nga njohuria e përgjithshme se Ballkani, që nga vitet e 90-ta, ka qenë i ballkanizuar, ndërsa Evropa ka vazhduar të evropianizohet. Ndryshe nga luftimi i nacionalizmit etnik dhe luftave për territore, Bashkimi Evropian u angazhua në integrim edhe më të madh brenda një sistemi që mbështetet në vlera demokratike dhe sundim të ligjit. Si zgjidhje e dukshme për nacionalizmin, luftën dhe spastrimin etnik në shtetet ballkanike u vlerësua integrimi i tyre në BE, duke ua mundësuar të hipin në trenin e pandalshëm të prosperitetit liberal dhe të një tregu të vetëm. Në fakt, Sllovenia u anëtarësua në vitin 2004, pastaj Rumania dhe Bullgaria në vitin 2007, ndonëse këto të fundit mbetën nën një vëzhgim të vazhdueshëm. Më pas, me ca vështirësi, BE-ja më në fund arriti ta gëlltisë edhe një kandidat tjetër, kur Kroacia u integrua në vitin 2013.

Vendet e mbetura ballkanike, të njohura në aspektin administrativ si Ballkani Perëndimor, kanë mbetur të rrethuara dhe tash gjenden në një geto brenda BE-së. Dikush mund të habitet se si një BE e fuqishme me 500 milionë banorë nuk mund ta integrojë një territor të vogël me 5 a 6 shtete, të cilat kanë rreth 18 milionë banorë. Përgjigjja nuk qëndron në procesin teknik të përkthimit të legjislacionit, as në ngurrimin e vendeve ballkanike për të bërë reforma, por në tërësinë e këtyre tri elementeve: e para, të shtyer nga votuesit nacionalistë të vendeve anëtare dhe me një strukturë të pamjaftueshme dhe të paralizuar të vendimmarrjes, BE-ja në të vërtetë nuk dëshiron të zgjerohet; e dyta, elitat udhëheqëse në Ballkan nuk shohin përfitime të mëdha politike dhe ekonomike për regjimet e tyre klienteliste në anëtarësimin në BE; e treta, qytetarët e këtyre vendeve po e vëzhgojnë krizën institucionale të BE-së dhe e dinë shumë mirë se anëtarësimi në BE nuk do t’iu garantojë prosperitet (nuk kanë nevojë të shkojnë më larg sesa në Kroaci dhe Bullgari). Shumë qytetarë të Ballkanit, sidomos ata që janë të rinj dhe të shkolluar, kanë vendosur që çështjen ta marrin në duart e veta dhe të anëtarësohen menjëherë në BE, duke migruar atje.

Iluzioni i dytë, ai i drejtësisë tranzicionale, ofroi shpresë të madhe për vendet ballkanike që kishin dalë nga lufta, sidomos puna e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavinë. Qëllimi i këtij tribunali ishte i thjeshtë: paraqitja e dëshmive dhe burgosja e kriminelëve nuk do të sjellë vetëm drejtësi, por edhe një katarsis moral në vendet ballkanike. Arkivat e këtij tribunali përfaqësojnë një bazë monumentale të të dhënave për të këqijat njerëzore, ku krimet e tmerrshme të luftës paraqiten në hollësi, aty ku gati asnjë gur nuk ka mbetur pa u lëvizur. Sërish, arkitektët e drejtësisë liberale nuk e bënë llogarinë për një arsye të thjeshtë: 25 vjet janë shumë në politikë. Ndryshe nga pritjet, kriminelët e luftës nga të gjitha “palët” sot vlerësohen si heronj në vendet e tyre për veprimet e vlerësuara si heroike. E krimet e tyre, nëse përmenden ndonjëherë me cinizëm, sheqerosen me tregimet e viktimizimit personal.

Iluzioni i tretë që iu shit Ballkanit ishte se ekonomia do ta zgjidhte çdo problem. Përderisa i dhanë fund pronësisë publike dhe shoqërore, e zbatuan privatizimin dhe krijuan fitime për investuesit e huaj dhe ndërmarrësit vendorë, prosperiteti u dobësua. Reformat neoliberale, të nxitura nga BE-ja, Fondim Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, vetëm i pasuruan elitat vendore dhe grabitësit ndërkombëtarë dhe i vodhën Ballkanit edhe në prodhim industrial, prodhim bujqësor dhe shkallë tjera të pavarësisë ekonomike. Ndonëse një pakicë e vogël gëzon mirëqenie që mund të krahasohet me më të pasurit e Perëndimit, shumica e qytetarëve ballkanikë jetojnë në realitetin e punëtorëve me paga të ulëta, pensionistëve të varfër dhe rinisë së papunësuar, duke nxitur kështu një migrim masiv drej Gjermanisë, Austrisë ose Irlandës.

Pasojat e plota të dështimit të këtyre tri iluzioneve duhet patjetër të merren parasysh, në mënyrë që të vlerësohet situata në Ballkan dhe në pjesën tjetër të Evropës. Mbi të gjitha, shumë shpresa për integrimin evropian u tradhëtuan nga BE-ja. Ku është politika e “unitetit në diversitet” dhe tashmë i harruari “modeli shoqëror evropian”? Ku është ai ishulli kantian i arsyes, vlerave dhe mikpritjes? Ku është ajo “rruga e tretë” mes padrejtësisë amerikane dhe kapitalizmit brutal të Kinës?

Ajo që po shohim tash është kaosi i Brexit-it, shtete anëtare që shpesh neveriten nga fakti se janë anëtare, mosmarrëveshje të ashpra, dënime të të dobëtit dhe atij që është në borxhe, rritje të dallimeve mes veriut dhe jugut, lindjes dhe perëndimit. E tërë kjo përcillet me rritje të forcave nacionaliste dhe ksenofobike, të cilat premtojnë zgjidhje për shpëtim nga Brukseli dhe imigrantët. Si një njeri që është rritur duke e shikuar “ballkanizimin” e Jugosllavisë, e kam të vështirë të besoj se një Evropë e tillë e “ballkanizuar” ka mundësi që ta “evropianizojë” ndonjëherë Ballkanin. Paradigma ekzistuese e evropianizimit e dëmton të ardhmen e BE-së dhe të vendeve tjera që presin në dyert e saj. Kjo kërkon ndryshim dhe pa këtë ndryshim, nuk kemi nevojë për aftësi të mbinatyrshme që ta kuptojmë se do të lindet një Evropë krejtësisht tjetër, ndoshta një e tillë që do t’ia kemi frikën, shkruan “Al Jazeera”.

Autori i këtij shkrimi është Igor Stiks. Ai është shkrimtar dhe intelektual boshnjak, i cili ka studiuar në Francë dhe SHBA. Qëndrimet e paraqitura në këtë shkrim janë qëndrime personale të autorit.