Kuvendi i Kosovës nesër mban seancë të jashtëzakonshme sipas kërkesës së opozitës për të diskutuar rreth dështimeve dhe skandaleve të diplomacisë kosovare.
Të premten në orën 10 është caktuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga 42 deputetë, transmeton Gazeta Express.
Pika e rendit të ditës do të jetë ‘Debat parlamentar sipas kërkesës së 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës’.
Grupi Parlamentar i LDK-së dhe VV-së kanë dorëzuar me 6 nëntor një kërkesë me të cilën kërkojnë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme. Sipas tyre, seanca do të mbahet për të diskutuar dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës.
“Në arsyetimin e kësaj kërkese thuhet se prioritetet e politikës së jashtme, në vend se të jenë afatgjatë, po ndryshohen në baza ditore, duke krijuar kështu konfuzion dhe situata të papëlqyera para partnerëve tanë ndërkombëtarë ku stopimi i procesit të njohjeve është vetëm një nga pasojat e kësaj politike të jashtme të çakorduar, të papërgatitur dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.