Sa herë përmendet korrigjimi i kufirit nga Presidenti Hashim Thaçi, i gatshëm t’ia rrëzojë këtë teori del Kryeministri Ramush Haradinaj.
Por, këtë të mërkurë është treguar shumë i rezervuar për ta komentuar takimin e Presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
I pyetur nëse ky takim duhet të shërbejë si alarm për Kuvendin që ta miratojë rezolutën që ia ndalon atij të diskutojë për territore, Kryeministri ka thënë se nuk duhet gjithmonë të mendohet për veprime kundër Presidentit.
Por, ai i është përgjigjur të parit të shtetit i cili ka thënë se Qeveria duhet ta deklarojë shumicën në Kuvend.
Haradinaj ka thënë se kjo nuk është praktikë që është bërë deri tash, por i sigurt është shprehur se kjo Qeveri do të vazhdojë deri në vitin 2021.
Ndërkohë, ai nuk e ka parë si lojë të Kadri Veselit punën e seancës së jashtëzakonshme të cilën e thirri, por, më vonë, kërkesën për anulim Kryekuvendari nuk ia aprovoi.
Pavarësisht se deputetët të martën e akuzuan Kryeministrin se shkeli kushtetutën duke thirrur seancë të jashtëzakonshme për t’i shqyrtuar në lexim të dytë ligjet që nuk kanë kaluar në komisione, Haradinaj tha se qëllimi i tij ka qenë shumë i mençur.
Tha se nuk do të dorëzohet para zërave që thonë se nuk ka liberalizim këtë vit, duke e quajtur të papranueshme që edhe këtë dimër qytetarët të presin në radhë para ambasadave për viza.