Evoluimi i Thaçit - Rusia e keqe, Rusia e mirë!

Presidenti Hashim Thaçi në fillim të këtij viti kishte shkruar një editorial për Forumin Ekonomik Botëror, në të cilin kishte akuzuar Rusinë

Presidenti Hashim Thaçi në fillim të këtij viti kishte shkruar një editorial për Forumin Ekonomik Botëror, në të cilin kishte akuzuar Rusinë se po tenton ta rrënojë shtetin e Kosovës. Por pas vetëm dhjetë muajve, pasi ka takuar homologun e tij rus Vladimir Putin në Paris ai ka një qëndrim diametralisht të kundërt, duke thënë se Rusia do ta mbështesë marrëveshjen paqësore, i cili do të arrihet në mes të Kosovës e Serbisë.

“Rusia po tenton ta rrënojë shtetin e Kosovës”, kështu kishte shkruar në fillim të këtij viti presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në një editorial për Forumin Ekonomik Botëror, i cili mbahet në Davos të Zvicrës.

“Përpjekjet e koordinuara nga Moska në mes të shtetit, kanaleve të propagandës, inteligjencës, hakerëve dhe pjesëmarrësve politikë kanë një qëllim të qartë. Ata duan t’i shkatërrojnë lidhjet e shumta të besimit: ndërmjet qytetarëve dhe qeverive brenda shteteve perëndimore, ndërmjet shteteve që i përkasin NATO-s dhe BE-së, por edhe më gjerë”, kishte shkruar mes tjerash Thaçi në këtë editorial, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Por qëndrimi i Thaçit për shtetin, i cili udhëhiqet nga Vladimir Putin, ka ndryshuar pothuajse plotësisht pas një takimi që këta dy presidentë kanë zhvilluar ditë më parë në Paris në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Pas këtij takimi Thaçi ka njoftuar se Putin ia ka konfirmuar se Rusia do ta mbështesë marrëveshjen paqësore, e cila do të arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë.